Kurti në Gjakovë: Ekonomia është rritur 70 për qind e buxheti bëhet 4 miliardë euro në vitin e ardhshëm

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim zgjedhor në Gjakovë dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti në fjalimin e tij, theksoi rritjen e ndjeshme të ekonomisë dhe buxhetit gjatë qeverisjes së tij, duke vënë në pah dyfishimin e qarkullimit të bizneseve dhe rritjen e fitimit të korporatave. Ai tha se ekonomia është rritur 70 për qind, buxheti shkon në 4 miliardë euro dhe nis mandati i reformave madhore.
“Me qeverisjen tonë e kemi rritur për 70 për qind ekonominë e vendit, 7 miliardë e kemi gjetur në vitin 2021 dhe 11 miliardë është sivjet dhe vitin e ardhshëm behët 12 miliard euro. Buxhetin e kemi gjetur 2.4 miliardë, vitin 2021 nga qeveria që zgjati 6 muaj – 9 muaj gjithsej e përbërë nga deputetë Hoti, Bajrami sivjet buxheti 3.6 miliardë po 50% më i madh sesa në vitin e parë të qeverisjes tonë. E vitin e ardhëm buxheti bëhet 4 miliardë apo 2/3 më i madh sesa para 5 vjet. Po shtohet pyetja pse ky buxhet është rritur kështu përpara nuk kanë ditur apo nuk kanë dashtë, qarkullimi i bizneseve për 6 vite është dyfishuar ka qenë 12.5 miliardë vitin 2019 viti i parë para pandemie, sepse nuk bënë të krahasohemi me vitin pandemie që ka pasur tkurrje ekonomike dhe tash sivjet qarkullimi i gjithmbarshëm i gjithë bizneseve është 25 miliardë nga 12.5 në 25 miliardë dyfishim i qarkullimit të bizneseve e sivjet fitimi i korporatave në Kosovë është 2.3 miliard euro”, theksoi Kurti.
Kurti foli edhe për luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se qeveria e tij ka drejtimin e duhur dhe nuk është e korruptuar.
“Këtë rritje ekonomike mesatarisht 6% në këto 4 vite asnjëherë para 9.4% ne nuk e kemi mbajtur për shtet por e kemi shpërndarë për shoqëri, një shpërndarje sociale nuk është barrë për zhvillimin ekonomik por është karburanti i zhvillimit shoqëror, duke e shpërndare rritjen ekonomike e kemi zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë dhe e kemi rritur kërkesën agregate në ekonomi e cila më tej e shton qarkullimin e bizneseve dhe mundëson rritjen e mëtutjeshme të ekonomisë. Pra nuk është çështja vetëm që jemi të pa korruptuar dhe të pa korruptueshëm por ne e kemi edhe drejtimin e duhur unë besoj që ata edhe janë korruptuar edhe janë të korruptueshëm sepse e kanë drejtimi ne gabuar ne duke e pasur drejtimin e duhur as s’jemi korruptuar dhe kurrë nuk do të korruptohemi”, theksoi ai.
Kurti përmendi investimet në shkolla, ambulanca, rrugë, ujë të pijshëm dhe ngrohje, duke veçuar investimin prej rreth 2 milionë eurosh për sistemin e ngrohjes në Gjakovë. Ai foli edhe për mbështetjen e nënave dhe fëmijëve, duke theksuar pagesat për lehonat dhe politikat sociale për familjet.
Në fokus të veçantë ishin projektet strategjike për Gjakovën, përfshirë sigurinë dhe industrinë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi se në mandatin e tretë do të zhbllokohen dhe do të fillojnë sigurimet shëndetësore, si dhe do të ndërtohen spitale të reja në Mitrovicë e Ferizaj dhe poliklinika specialistike në disa qytete të Kosovës.
Tubimi në Gjakovë u mbajt në kuadër të fushatës zgjedhore. /A. Krasniqi
